Të paktën 7 raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici, bazuar në raportin ditor të së mërkurës. Rastet e tilla kanë ndodhur në të gjitha anët e Kosovës. Viktima kryesisht kanë qenë gratë.
Në Prishtinë, një grua ka raportuar në Polici se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje. Palët janë shoqëruar në stacion e pas intervistimit me vendim të prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt, bëhet e ditur në njoftim.
Në Podujevë, një burrë dyshohet se ka sulmuar vëllanë e tij në mbrëmjen e së martës. Bëhet fjalë për viktimën, e moshës së mitur. Palët janë intervistuar e rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Dhunë në familje ka pasur edhe në Viti. Aty një burrë dyshohet se në mesditë ka sulmuar një grua. Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Dhunë ndaj bashkëshortes dyshohet të ketë ushtruar edhe një person në Shtime që është arrestuar në mbrëmje. Sipas Policisë ai është arrestuar nën dyshimin se “në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes”. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Prizren, një grua ka raportuar në Polici se është sulmuar nga vëllai i saj. Sipas raportimit, i dyshuari i ka shkaktuar lëndime trupore viktimës që ka marrë trajtim mjekësor. Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Pos “dhunë në familje” ky rast është cilësuar edhe si “lëndim i lehtë trupor”.
Një pejan është arrestuar të martën nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe një rast i dhunës në familje në Malishevë, e që ka ndodhur dy ditë më parë, është përfshirë në raportin ditor. Aty nuk jepen detaje, por thuhet se për një rast është arrestuar i dyshuari për veprën në fjalë. I dyshuari është dërguar në mbajtje.