Në fshatin Halabak në Podujevë ka ardhur deri te një konfrontim mes disa personave, ndërsa shkak për këtë është bërë imami që ishte caktuar nga Bashkësia Islame në Podujevë për t'i kryer ritet fetare në xhaminë e fshatit.
Siç ka raportuar Policia e Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:45. Katër persona nuk ishin pajtuar me imamin e caktuar dhe e kishin penguar atë. Më pas tre të dyshuar, të cilët ndodhën në arrati, nuk lejuan që imami të sulmohej dhe njëri prej tyre dyshohet se e ka sulmuar me kondak të revoles një person dhe i ka shkaktuar lëndime.
“Fsh. Halabak, Podujevë 18.02.2023 – 18:45. Raportohet se në momentin kur imami i caktuar nga Bashkësia Islame e Kosovës në Podujevë ka shkuar në xhaminë e fshatit për kryerjen e riteve fetare, katër persona nuk janë pajtuar me imamin e caktuar dhe e kanë penguar atë, pastaj tre të dyshuar që tani ndodhen në arrati, nuk kanë lejuar që të sulmohet hoxha dhe gjatë asaj kohe njëri nga të dyshuarit dyshohet se e ka sulmuar me kondak të revoles njërin nga katër viktimat duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Në koordinim me prokurorin e shtetit është kryer një kontroll në shtëpinë e të dyshuarve dhe është gjetur një fotroll e revoles. Të dyshuarit gjenden në arrati, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e Policisë.