Kronikë

Dënim me burg për kosovarin në Gjermani, tentoi ta vriste të dashurin e ish-bashkëshortes

Një kosovar në Gjermani është dënuar të martën me 4 vjet e nëntë muaj burgim për tentim vrasje ndaj të dashurit të ish-bashkëshortes së tij, raporton “RTL.de”.

45-vjeçari ishte akuzuar për tentim vrasje, lëndime të rënda trupore, e po ashtu kishte akuza tjera të shumta.

Mirëpo, Gjykata të martën ia dha një dënim të unifikuar prej 4 vjet e nëntë muaj burg. Është dukshëm më e ulët se që kërkoi Prokuroria, një dënim prej shtatë vjet e gjashtë muaj burgim.

Mehmet K. u dënua se më 9 shtator të vitit 2021 ishte futur dhe fshehur në shtëpinë e ish-bashkëshortes dhe u konfrontua më pas me të dashurin e saj.

Ai kishte qëlluar me armë në dorë 23-vjeçarin, e po ashtu edhe në këmbë.

Vetëm pak muaj para ngjarjes, i pandehuri ishte martuar. Por, pas martesës nisën gjërat të bëhen të dhunshme, madje edhe ndaj të birit 7-vjeçar të gruas së tij.

Kështu që erdhi edhe deri te divorci.