Një i burgosur ka arritur të arratiset të enjten derisa po transportohej nga burgu për në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka bërë të ditur se i burgosuri i arratisur është G.K., derisa ndaj tre zyrtarëve që kanë qenë në përcjellje është iniciuar procedurë disiplinore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se sot gjatë përcjelljes për në Gjykatën Themelore në Gjakove/ Dega Malishevë, i burgosuri G.K i akuzuar për vepër penale lëndim i lehtë trupor, është arratisur nga automjeti me të cilin po transportohej. SHKK menjëherë ka njoftuar Policinë e Kosovës, gjykatën kompetente dhe ka formuar komision hetimor për rrethanat e arratisjes. Ndaj tre zyrtarëve që kanë qenë në përcjellje është iniciuar procedura disiplinore, të njëjtit me vendim të komisionit disiplinor janë pezulluar nga puna”, thuhet në njoftim.