Kronikë

Arrestohet kunata që dyshohet se e rrahu për vdekje 67-vjeçaren në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të martën se ka arrestuar një grua, e cila dyshohet për vrasjen e 67-vjeçares S.D. në fshatin Kuk të Dragashit.

KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për kunatën [gruan e vëllait të viktimës], e cila dyshohet se të hënën e ka rrahur deri në vdekje 67-vjeçaren. 

Sipas Prokurorisë, e dyshuara N.A. e ka goditur disa herë me mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen. Ajo dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës. Në rastin konkret e njejta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë të martën.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur sot se ka pasur një rast të raportuar për dhunë ndaj 67-vjeçares. Në njoftimin e Policisë thuhet se rasti ishte hapur më 8 nëntor të këtij viti, në formë të dhunës psikike, apo moskujdesi të duhur ndaj një personi me nevoja të veçanta.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se për këtë rast nuk ka pasur urdhër mbrojtës dhe se sipas familjarëve, viktima ka pasur probleme të shumta shëndetësore (nuk ka qenë në gjendje të kujdeset për vete, nuk ka mundur të lëvizë as për nevoja bazike dhe fiziologjike).