Rreth 430 kg kokainë janë sekuestruar në fshatin Frakë të Fierit në Shqipëri. Sipas kryetarit të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Arben Kraja, kokaina vlera e së cilës është 40 milionë euro, ishte e fshehur në 24 tonë pleh organik.
Kraja dhe prokurori i çështjes, Adnand Xholi, në një konferencë për media të mbajtur të premten, kanë dhënë detaje për operacionin ku u zbulua një laborator droge.
Kraja tregoi se porosia ishte bërë që në maj të vitit 2022.
Prokuroria ka bërë të ditur se plehu organik u porosit nga Shqipëria dhe do të transportohej me anije nga Kolumbia përmes Portit të Pireut të Greqisë dhe porositësi ishte shqiptar. Deri më tani janë 10 të arrestuar, ndërsa autoritetet po punojnë me partnerët e huaj për bashkëpunëtorët e tjerë jashtë territorit të Shqipërisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se nga verifikimet e kryera rreth shtetasit shqiptar, rezultoi se në fillim të vitit 2022, kishte regjistruar një biznes në emër të tij me objekt të aktivitetit, ndër të tjerave edhe “Import-eksport dhe tregtim me shumicë e pakicë të plehrave kimike dhe mallrave të ndryshme”, me adresë në Tiranë.
Sasia me “pleh-organik”, në muajin maj 2022 pasi ngarkohet në kontejner, nëpërmjet një anije transporti është nisur për në portin e Pireut/Greqi, dhe ka mbërritur në fillim të korrikut 2022, e prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Barit të Malit të Zi, dhe në territorin shqiptar është transportuar me kamion në muajin shtator 2022.
Pasi është zhdoganuar ngarkesa me “pleh-organik”, nën koordinimin e vazhdueshëm të personave nën hetim është mundësuar zhvendosja e saj në ambiente të ndryshme në Shqipëri, dhe ditën e djeshme më datë 24 nëntor 2022, është bërë i mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese në fshatin Farkë e Madhe në Fier.
Si rezultat i kontrolleve në konferencë është bërë e ditur se janë sekuestruar edhe provat materiale si: 15,910 euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celularë; 5 automjete; 2 laptop; 2 armë gjahu si dhe 20 paleta me rreth 24 tonë “pleh artificial”, brenda së cilës ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se përmban një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, e cila referuar shitjes në tregun me pakicë vlera e saj kap shifrën rreth 40 MILION euro”. /TCH