Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën, gjatë orëve mësimore në gjimnazin “Ahmet Gashi”, në Prishtinë.
Një nxënës ka therur me mjet të mprehtë shokun e klasës gjatë orës së kimisë, ku nuk ishte i pranishëm profesori. Ai, sipas burimeve, kishte shkuar në një klasë tjetër për të zëvendësuar profesorin që mungonte.
Burimet e KOHËS bëjnë të ditur se therja u krye me thikë, mirëpo drejtori i shkollës, Haxhi Metaj, thotë se ajo u krye me laps kimik.
“Nuk ishte thikë, ishte me laps kimik, nuk ishte lëndim i rëndë”, tha Metaj për KOHËN.
Policia e kontaktuar nga KOHA, nuk ishte në dijeni për rastin, megjithatë burimet thonë se është parë një patrullë.
“Të shohim nesër, do të flasim me prindër, por nuk ishte lëndim i rëndë”, tha Metaj.
Burimet e KOHËS thonë se plaga, viktimës iu shkaktua në kokë dhe se ai mori ndihmën e parë nga autoambulanca.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.