Kryetari i Komunës së Zhelinos në Maqedoninë e Veriut përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se në lumin Vardar mëngjesin e së dielës është gjetur trupi i pajetë i Erdon Ramadanit, djalit 22-vjeçar i cili më 27 shtator doli nga magjistralja Tetovë-Shkup. Erdoni me një Volkswagen kishte dalë nga korsia e autostradës pranë urës që kalon lumin Vardar në afërsi të Zhelinos.
“I riu nga Kumanova është gjetur në lumin Vardar. Faleminderit të gjitha ekipeve të shpëtimit që kontribuan gjatë gjithë këtyre ditëve. Ngushëllime të thella familjes’, ka thënë përmes rrjeteve sociale, kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Seidui.
Policia e Tetovës ka konfirmuar se në lumin Vardar është gjetur një trup, por ende nuk është bërë identifikimi zyrtar. Kufomën e kanë gjetur punonjësit e policisë nga SVR Tetovë.
“Në orën 10:40 është gjetur një trup i pajetë i një burri në afërsi të kazermës Erebino, pranë urës së dytë prej betoni. Trupi duhet të nxirret së shpejti nga uji dhe të bëhet një identifikim zyrtar. Janë thirrur një mjek nga Mjekësia Ligjore dhe një prokuror publik”, ka njoftuar Marjan Josifoski, zëdhënës i SVR Tetovë.
Ditët e fundit në kërkim të të riut nga Kumanova kanë marrë pjesë përfaqësues të disa institucioneve, ku janë përfshirë edhe zhytës dhe qen gjurmues./ AlsatM