Kronikë

Ryshfet e fajde në aferën “Brezovica 6”, kush janë të arrestuarit dhe cili është roli i tyre

Descriptive Text

Dyshimet për krim me ndërtime në Brezovicë kanë dërguar edhe 7 persona në burg.

Pas rreth 10 muajsh qëkur Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur arrestimet për ndërtimet në këtë zonë, aksioni të mërkurën ka vazhduar në disa lokacione në rajonin e Prishtinës. Me këtë rast janë arrestuar 7 persona.

Nga Prokuroria nuk është bërë e ditur se çfarë funksionesh bartin të arrestuarit, porse KOHA ka mësuar që katër prej tyre janë zyrtarë e ish-zyrtarë, e tre të tjerë biznesmenë. Në kërkim është edhe pronari i një biznesi.

Vetura të shtrenjta, dokumente në lidhje me pronat dhe armë janë hasur tek këta të arrestuar. Nëpërmjet një komunikate për media, nga Prokuroria kanë dhënë detaje se për çfarë veprash penale dyshohen ata.

“Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar dhe bastisur njëmbëdhjetë (11) lokacione të ndryshme, konkretisht tetë (8) lokacione në qytetin e Prishtinës, dy (2) në Podujevë dhe një (1) në Fushë-Kosovë, me ç’rast janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘Marrje e ryshfetit’, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës ‘Dhënie e ryshfetit’, nga neni 422 , ‘Fajdeja’ nga neni 331 dhe ‘Ushtrimi i ndikimit’ nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tre nga të arrestuarit, siç ka mësuar KOHA, kanë përfunduar në pranga për punën e tyre në Ministrinë e Ambientit.

Një burim i KOHËS ka bërë të ditur se i arrestuari me inicialet Sh. Sh., një zyrtar për mjedis, ka qenë kryetar i Komisionit për leje ndërtimore në këtë zonë. Anëtar në këtë komisioni ishte edhe S. S., ndryshe zyrtar në po këtë ministri.

G. B. ka punuar gjatë në Ministrinë e Ambientit. Në vitin 2021, ky institucion ia ka shkëputur kontratën e punës me justifikimin se ka bërë keqpërdorime gjatë lëshimit të lejeve ujore. E ai të mërkurën është arrestuar pikërisht shkaku i dyshimeve për lëshimin e lejeve ujore, që janë parakusht për fillimin e ndërtimeve.

Mes të arrestuarve është edhe B.L. KOHA ka mësuar se ai është arrestuar ngase në kohën kur dyshohet se janë kryer veprat penale lidhur me këto ndërtime ka qenë zyrtar i KEK-ut.

Prokuroria, siç ka mësuar KOHA, ka dyshime që si është i përfshirë në aprovimin për vendosjen e trafove elektrike në kundërshtim me legjislacionin për ndërtimet që planifikoheshin të bëheshin. Ai është asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë.

KOHA i ka adresuar pyetje Vetëvendosjes për rastin, porse nuk ka marrë përgjigje.

L. V. është një tjetër i arrestuar. Ai është biznesmen që tashmë ka aktakuzë për korrupsion, ndotje, degradim dhe shkatërrim të mjedisit në këtë zonë. Gjykimi për rastin e tij ende nuk ka përfunduar, teksa ai ka në pronësi edhe shtëpiza e një objekt hotelerie në këtë pjesë.

Dy biznesmenë të tjerë të arrestuar në këtë rast janë edhe S.S. dhe G.S. Siç ka mësuar KOHA, ata janë vëllezër dhe pronarë të një kompanie që merret me beton. Burimet e KOHËS kanë thënë se ata janë arrestuar për dyshimet se janë të përfshirë edhe me fajde në këtë aferë.

Ndonëse në raportin nga Prokuroria në Ferizaj janë inicialet e tetë personave që janë bastisur, të arrestuar janë vetëm 7. Burimet kanë thënë se hetuesia nuk e ka gjetur biznesmenin B. G, që është pronar i një kompanie të madhe.

Në 6 aksione të ndara për aferën, bilanci i të arrestuarve ka shkuar në rreth 40. Ky hetim udhëhiqet nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku.

Hetimi ende nuk ka përfunduar e deri më tani janë ngrirë gati 10 milionë euro pasuri të të dyshuarve.