Dy ushtarët shqiptarë që u plagosën të shtunën (20 gusht) nga tre shtetas të huaj, janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ushtarët Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka, kanë marrë trajtimin mjekësor në Spitalin e Tiranës.
Ata u sulmuan në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh nga persona me pasaporta ruse dhe ukrainase.
Shtetasit e huaj tentuan të futeshin fshehurazi në Uzinën e Gramshit, me ç'rast dy ushtarët janë afruar për t'i larguar. Në momentin e afrimit, ushtarët dhe shtetasit e huaj janë përleshur, ku njëri duke përdorur sprej, i ka lënduar ushtarët.
Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit Kreshnik Ajazi, bëri me dije se rusët janë arrestuar dhe po hetohen nga antiterrori.
Atyre u janë gjetur dhe sekuestruar mjete fotografike, ku në mikroçipe janë kapur foto të Uzinës.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se është krenar me ushtarët “që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh”.