Kronikë

Sulmoi nënën seksualisht, arrestohet i dyshuari me probleme mendore në Pejë

Një person është arrestuar të hënën në Pejë, nën dyshimin se ka sulmuar nënën e tij seksualisht.

Sipas raportit mjekësor, i dyshuari ka probleme me shëndetin mendor, ndërsa arrestimi i tij ka ndodhur për tri vepra penale “Dhunë familjare”, “Sulm seksual” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Koha mëson se derisa viktimë e dhunës familjare dhe e sulmit seksual dyshohet të jetë nëna e tij, lëndime të lehta trupore ka pësuar një familjar që ka ndërhyrë në këtë rast.

“Sot Policia është informuar se në rrugën ‘Adem Mala’ në Pejë ka ndodhur një rast i dhunës në familje. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është raportuar nga familjarët se i dyshuari, sipas mjekëve me probleme të shëndetin mendor, ka pas dhunë familjare dhe sulm seksual. Pastaj dëshmitari -familjar, ka ndërhy, por i njëjti ka pësuar lëndime trupore dhe është hapur rasti lëndim i lehtë trupor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka thënë Rugova.