Kronikë

Prokuroria vazhdon aksionin në Brezovicë për identifikimin e vikend-shtëpive

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka zhvilluar të hënën aksion në Brezovicë.

Prokurori Rasim Maloku, i ka thënë KOHËS se ky aksion po zhvillohet për të bërë identifikimin e ndërtimeve në këtë pjesë.

“Operacioni për identifikim dhe regjistrim të vikend-shtëpive në Brezovicë është duke vazhduar edhe sot me të njëjtat institucione sikurse më datë 04.08.2022”, ka thënë Maloku.

Sipas Prokurorisë, qëllimi i këtij inspektimi është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin.

Më 4 gusht është realizuar një inspektim në zonën e Brezovicës. Ky aksion është realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës.