Kronikë

Ish-shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës dënohet me 6 muaj burgim

Paraburgim

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallë aktgjykim dënues ndaj D. Sh., ish-shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, për të cilin u dëshmua se në vitin 2017 ka keqpërdorur pozitën e tij.

Aktgjykim dënues është shpallur edhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë në komunë, kurse një tjetër ka marrë aktgjykim lirues.

Ish-shefit të kabinetit gjykata i ka dhënë dënim me burgim prej gjashtë muajve, i cili dënim mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej shtatë mijë euro, që duhet ta paguajë brenda tre muajve.

Po ashtu, ndaj tij është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej dy vjetëve.

Sipas aktgjykimit, D.SH. më 19.09.2017, në pozitën e shefit të kabinetit të Kryetarit të Kuvendit Komunal në Pejë, i tejkaloi kompetencat e veta duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit me titull “Blerja e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Pejë”, në vlerë prej 11.929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë në emër të organit mbikëqyrës – menaxherit të projektit F.Z, e i cili me vendim të kryetarit të Kuvendit Komunal në Pejë, ka qenë i emëruar si menaxher i projektit për tenderin e lartcekur.

“D.Sh. pa pasur ndonjë vendim apo mandat nga kuvendi komunal dhe kompetenca që të nënshkruajë në emër të personit tjetër, në raportin mbi pranimin e mallit, ka nënshkruar pranimin e makinës, e të cilin pranim ka refuzuar ta nënshkruajë menaxheri i projektit F. Z., edhe pse ka qenë në dijeni se makina që është sjellë nga operatori ekonomik, nuk është sipas projektit të kërkesës, sipas paramasave dhe specifikave të përcaktuar në tender, si në para, ngase makina e sjell nga operatori ekonomik është në vlerë prej 2000 euro, ashtu edhe në parallogaritë dhe specifikat e tenderit”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka thënë në komunikatën për media, se me këtë veprim ai “ka dëmtuar buxhetin e komunës për shumën prej 9.929.41 euro duke i mundësuar njëkohësisht përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit I.K., dobi në shumë prej 9.929.41 euro”.

Ndërsa, të pandehurit G. L., R. Zh. dhe G. Sh., në të njëjtën datë si persona zyrtarë pranë Kuvendit Komunal në Pejë, e në pozitë të anëtarëve të Komisionit mbi pranimin e mallit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

“Më datën 19.09.2017, edhe pse nuk kanë pasur një vendim në formë të shkruar se ata janë caktuar si anëtar të komisionit, kanë nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit me titull kontrate ‘Blerja e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Pejë’, në vlerë prej 11.929.41 euro, pa e kontrolluar fare se malli (furnizimi) i pranuar, a i plotëson kushtet e specifikuara në specifikimin teknik e cila është pjesë përbërëse e kontratës, pa prezencën e menaxherit të projektit F.Z dhe pa prezencën e furnizuesit (operatorit fitues), nënshkruajnë pranimin e mallit”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

I pandehuri T.R. u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës t’ia paguajë shumën prej 50 euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro si dhe në emër të taksës për viktimat e krimit shumën prej 50 euro.

Të pandehurve G.L., R.ZH. dhe G.SH. secilit veç e veç gjykata iu shqiptoi dënim me kusht duke ua përcaktuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve secilit, e të cilin dënim nuk do ta vuajnë nëse në afatin prej një viti nuk kryejnë vepra të reja penale. Po ashtu, u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës t’ia paguajnë shumën prej 100 euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, shumën prej 50 euro si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 euro.

Ndërkohë I.K. nuk u provua se ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe u lirua nga akuza.