Kronikë

Parandalohet në veri të Mitrovicës një kontrabandë me pije

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se në fshatin Zherovnicë në veri të Mitrovicës është ndaluar një veturë në të cilën kishte 900 litra pije alkoolike dhe joalkoolike.

Është njoftuar se ishte vërejtur një mjet i dyshimtë transportues dhe ishte tentuar të ndalej automjeti. Por nga shoferi është refuzuar ndalimi dhe ka ikur me automjet. Pas një ndjekje, është arritur të bllokohet automjeti, ndërsa shoferi ka ikur dhe ka braktisur atë.

“Me rastin e kontrollit zyrtarët kanë gjetur se në automjete kishte mallra kontrabandë të llojit pije alkoolike dhe jo alkoolike në sasi prej rreth 900 litrash. Me këtë rast gjatë rrugës në hyrje të Zveçanit gjatë dërgimit të automjetit më mallra në Terminalin Doganor në Mitrovicë, tri automjete kanë penguar dhe kanë tentuar të bllokojnë zyrtarët e Doganës në kryerjen e detyrës zyrtare. Fal përkushtimit dhe profesionalizmit të Zyrtarëve Doganor është arritur që të evitohen këto pengesa dhe automjeti i dyshimtë me mall të kontrabanduar të dergohet në mbikëqyrje Doganore në terminal. Për pengim në kryerje të detyrës Dogana e Kosovës ka lajmëruar dhe inicuar rast tek organet kompetente”, ka njoftuar Dogana.