Kronikë

Gjashtë muaj burgim për të akuzuarin F. M. në rastin “Subvencionet”, obligohet të kthejë 110 mijë euro

Subvencionet

Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka dënuar të enjten me gjashtë muaj burgim të akuzuarin F.M. për veprën penale mashtrim me subvencione, ka bërë të ditur kjo gjykatë.

Sipas njoftimit, me propozimin dhe pajtimin e palëve, pjesa e mbetur e dënimit i zëvendësohet në dënim me gjobë 5.000 euro, ndërsa koha e kaluar në paraburgim prej 30.06.2021 deri më 12.11.2021 i llogaritet në dënimin me gjobë të shqiptuar.

“Të akuzuarit i konfiskohet shuma e mjeteve në vlerë prej 27 mijë euro, ndërsa obligohet që në emër të dëmit të shkaktuar në mënyrë solidare të paguajë shumën totale prej 109.520 euro”, thuhet në njoftim.

E dëmtuara, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me kërkesat pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil.

F.M. është një prej zyrtarëve të arrestuar në këtë ministri në lidhje me keqpërdorim të subvencioneve. /ksp