Prokuroria franceze ka dhënë detaje në lidhje me vdekjen e çiftit kosovar në Epinal të Francës të martën. Sipas Prokurorisë, burri ka vrarë gruan e tij e më pas thikën ia ka drejtuar vetes, shkruan Le Parisien.
“Nga autopsia u zbuluan disa plagë me thikë, duke përfshirë plaga mbrojtëse në trupin e 44-vjeçares”, siç ka njoftuar Prokuroria.
Ngjarja ka ndodhur në prani të tre nga tetë fëmijët që kishte çifti, thanë prokurorët të premten.
Sipas rrjedhës së ngjarjes, çifti kishte një zënkë verbale mëngjesin e së martës, ku burri 45-vjeçar e akuzoi gruan për “gjoja pabesi”, shtoi prokurori Frederic Nahon.
“Ngjarja ndodhi në banjën e banesës. Njëri nga fëmijët më pas theu derën dhe zbuloi trupat e pajetë të prindërve të tij”, ka deklaruar të premten Nahon.
Familja, me origjinë nga Kosova, jetonte në Francë që nga viti 2018 dhe kishte statusin e refugjatit. Familja përbëhej nga tetë fëmijë. Tre prej fëmijëve janë të rritur. Shtatë nga fëmijët jetonin ende me prindërit e tyre dhe pesë të miturit ishin në shkollë gjatë momentit tragjik.
Çifti nuk ishte i njohur për institucionet e drejtësisë dhe nuk ishte paraqitur asnjë ankesë për dhunë në familje, sipas Nahonit.