Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka mashtruar së paku shtatë persona dhe ka përfituar nga ta rreth 99.500 euro, duke u premtuar shitjen e pronës në një prej lagjeve të Prishtinës.
Policia e Kosovës ka njoftuar të martën se i dyshuari E.C. 41-vjeçar akuzohet për mashtrim, falsifikim të dokumentit dhe legalizim të përmbajtjes së rreme.
Ai dyshohet se ka lidhur disa kontrata shitblerjeje me palë të ndryshme në vlera qindra mijëra euro.
Dy persona tjerë janë identifikuar dhe janë në kërkim nga Policia.
“Sipas informacioneve të deritanishme, janë ngritur dyshimet se, i dyshuari duke prezantuar rrethana të pavërteta ka arritur të mashtroj së paku shtatë persona dhe të përfitoj nga viktimat rreth 99.500 euro, duke u premtuar të njëjtëve shitjen e pronës në një para lagje të Prishtinës. I njëjti përmes mashtrimit dhe falsifikimit dyshohet të ketë lidhur disa kontrata shitblerjeje me palë të ndryshme vlera e të cilave arrin qindra mijëra euro. Që nga marrja e informacioneve të para më datë 16.11.2021, njësia e hetimeve të stacionit policor Qendra, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka kryer veprime hetimore dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit; E. C. 41 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës. I dyshuari u arrestua sot nga ana e policisë. Ndërkohë janë identifikuar dhe janë në kërkim policor edhe dy të dyshuar të tjerë që dyshohet të jenë të implikuar në rastin e njëjtë”, thuhet nga Policia.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.