Kronikë

Në Prishtinë arrestohen katër persona të dyshuar për trafikim me njerëz

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona të dyshuar për trafikim me njerëz dhe posedim të narkotikëve.

Policia nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se ka kontrolluar dy banesa në Prishtinë të martën, ndërsa janë arrestuar tri gra e një burrë.

Të dyshuarit K.K. (1979), A.M. (2001), XH.M. (1991) dhe A.R. (2001), janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale trafikim me njerëz dhe posedim të narkotikëve.

Lidhur me këtë rast një grua, viktimë e trafikimit, është trajtuar sipas procedurave standarde për viktimat e trafikimit, ka bërë të ditur Policia.

Ndërkohë si prova materiale janë konfiskuar katër telefona, një laptop, dy USB dhe dy gramë substancë narkotike marihuanë.

Të dyshuarit janë dërguar në ndalim për 48 orë.