Tre të arrestuar për vjedhje në Gjilan, sekuestrohen cigare, TV, PlayStation, telefona...
Tre persona janë arrestuar të shtunën nën dyshimin për disa vjedhje të kryera në zona të ndryshme të rajonit të Gjilanit.
Sipas njoftimit të Policisë, veprimet operative për kapjen e të dyshuarve kishin nisur kohë më herët. Njoftimi thekson se i pari është arrestuar i shumëkërkuari F.S., i dyshuar për shumë vepra penale, ndërsa pas tij janë kapur edhe L.S. me banim në Pejë dhe D.K. nga Gjilani.
Tek i dyshuari kryesor është gjetur një pistoletë, ndërsa janë gjetur dhe konfiskuar edhe shumë sende me vlerë si: “cigare të llojeve të ndryshme, TV plazma, Play station, mjete të punës, pjesë të automjeteve, telefona dhe gjëra të tjera të cilat ishin vjedhur në lokacione të ndryshme, ku të njëjtat do të përdoren si prova dhe dëshmi materiale lidhur me veprat e kryera”.
Të tre të dyshuarit kanë pranuar se kanë kryer vjedhje në lokacione të ndryshme.