Kronikë

Ushtroi dhunë ndaj gruas, Policia e arreston me forcë të dyshuarin në Gjakovë

Një person është arrestuar pas ndërhyrjes me forcë nga Policia në banesën e tij, pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

Rastin në polici e ka denoncuar prindi i viktimës, ndërsa policia është dashur të intervenojë me forcë në banesën e të dyshuarit, pasi i njëjti nuk ua kishte hapur derën.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjykraj, për KOHËN ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë dhe Prokuroria kujdestare, të cilët kanë kërkuar nga i dyshuari ta hapë derën, por i njëjti ka refuzuar.

Më pas, dera është hapur me forcë me urdhër të prokurores, meqë ka pasur dyshime se personi i dyshuar mund të vepronte.

“Mbrëmë rreth orës 20:30 në Gjakovë, një baba kishte raportuar në polici se i dyshuari dhëndri i tij po ushtronte dhunë ndaj vajzës. Pas këtij informacioni policia ka shkuar te banesa ku ishin i dyshuari dhe viktima (çifti bashkëshortor), por policia njofton se i dyshuari nuk e ka hapur derën e banesës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë dhe prokurorja kujdestare, ku kanë kërkuar nga i dyshuari ta hapë derën por i njëjti ka refuzuar. Nga dyshimi që i dyshuari mund të bëjë më të keqen, me urdhër të prokurores është hapur dera me forcë. I dyshuari është arrestuar dhe sjellë në stacion”, ka thënë Gjurkaj.

Zëdhënësi policor më tej ka shtuar se viktima me katër fëmijët është shoqëruar për intervistim, prej të cilës është mësuar se i dyshuari i kishte shkaktuar dhunë psikike. Ndaj saj gjithashtu është ofruar tretman mjekësor edhe pse nuk ka pasur lëndime trupore.

“Viktimës i është afruar mbrojtje dhe strehim. Viktima ka refuzuar mbrojtjen dhe strehimin dhe e njëjta ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, pasi që ndjehet e sigurt”, ka njoftuar Gjurkaj.

Ndërkaq, i dyshuari me urdhër të prokurores është mbajtur në ndalim policor prej 48 orësh.