Kronikë

Gjendet një laborator i substancave narkotike në Mramor, ndalohet për 48 orë i dyshuari

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet L.S., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, nga bastisja e realizuar në fshatin Mramor të Prishtinës, në shtëpinë me qera të të dyshuarit, është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike, po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar tridhjetegjashtë bimë narkotike të llojit marihuanë.

I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa prokurori i çështjes, do t’i ndërmerr veprimet e tjera procedurale ndaj tij.