Kronikë

Paraburgim e arrest shtëpiak pesë të dyshuarve për trafikim me njerëz

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Katër persona janë marrë në paraburgim kurse një është vendosur në arrest shtëpiak për veprën penale “trafikim me njerëz”.

I.M, E.Z, M.I dhe J.A janë dërguar në paraburgim ndërkaq M.XH, në arrest shtëpiak.

Dyshohet se më datë 12.10.2021 e në vazhdimësi gjer me datë 16.10.2021, duke vepruar si grup i organizuar, kanë marrë pjesë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe atë të një të dëmtuare, të cilën nën kërcënimin dhe përdorimin e forcës e kanë vënë në shfrytëzim për përfitim material përmes shërbimeve seksuale me pagesë me personat e tjerë.

“Me këto veprime të pandehurit kishin për të kryer veprën penale trafikim me njerëz nga neni 165 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së. Të pandehurve I.M, E.Z, M.I dhe J.A iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj ndërsa, të pandehurës M.XH i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje një muaj, pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë kryer veprën penale për ta cilën dyshohen. Duke e pas parasysh natyrën e rëndë të veprës penale për të cilën parashihet sanksion mjaft i lartë, gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi që me gjetjen e të pandehurve në liri, me qëllim mund t’i shmangen kontaktit me organet kompetente shtetërore ndërsa, duke e pas parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, ekziston rreziku që të pandehurit të përsërisin veprën e njëjtë apo të kryejnë vepër të re penale në dëm të të dëmtuarës apo personave të tjerë”, thuhet në njoftim.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.