1 perditesime
15:38

Një muaj paraburgim burrit që rrahu një grua në market, kërkohet edhe ekzaminim psikiatrik

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj F.B. për veprën penale të “sulmit” në një dyqan të dielën. Po ashtu është aprovuar edhe kërkesa për ekzaminim psikiatrik.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.10.2021, brenda Qendrës Tregtare ‘Interex’, në Prishtinë i pandehuri F.B. pas një mosmarrëveshje të atëçastshme verbale me të dëmtuarën S.B.H, në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim ashtu që si pasoj e kësaj i pandehuri e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushte në kokë me ç’rast e dëmtuara ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK”, thuhet në njoftim të gjykatës.

10:17

Kërkohet paraburgim për burrin që rrahu një grua në një market në Prishtinë

Është ndaluar për 48 orë F.B. që sulmoi një grua në një market në Prishtinë mbrëmjen e së hënës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ndaj të dyshuarit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet F.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘Sulmi’, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në komunikatën për medie të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.