Më shumë se 10 kilogram me substancë narkotike të llojit marihuanë, është kapur të shtunën në fshatin Sallagrazhd të komunës së Suharekës.
Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se me datë 23.10.2021 me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit dhe aprovimin e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, ka realizuar një bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit me iniciale K.B. në fshatin Sallagrazhd, Komuna e Suharekës me dyshimin se në shtëpinë e tij gjendet një sasi e substancave narkotike të llojit marihuanë.
Asistim në këtë operacion kanë ofruar edhe Njësitet për reagim të shpejtë (NJRSh) patrullat policore të stacionit Policor në Suharekë, si dhe forenzika rajonale. Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë/provat si në vijim: njё thes najloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 5 kg, njё thes najloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë pese 5 kg dhe njё thes najloni i zi me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë katërqind 400 gram, një peshore elektrike ngjyrë e bardhë, tri role plastike që shërbejnë për paketim të substancës narkotike, një aparat elektronik për shërbim të vakumimit të qeseve plastike –paketim të marihuanës.
Njësitet relevante policore janë duke zhvilluar hetime lidhur me rastin dhe po punojnë me intensitet te madh në arrestimin e personit të dyshuar që këto momente ndodhet në arrati.