Kronikë

Arrestohet një i dyshuar për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar (DHKO), konkretisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, kanë identifikuar një person për të cilin dyshohej se kishte konsumuar veprën penale “keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

Hetuesit policorë kanë arritur që pas hetimeve dhe lokalizimit të personit të dyshuar: I.G., i lindur më 1976, të njëjtin ta arrestojnë dhe ta intervistojnë në cilësi të të dyshuarit.

Personi i arrestuar dyshohet se ka poseduar materiale (foto dhe video) me përmbajtje abuzuese seksuale me fëmijë. Këto materiale, duke përdorur aplikacione për komunikim online, i ka shkarkuar dhe i ka shpërndarë edhe me persona tjerë. Në cilësi të provave janë sekuestruar një telefon celular dhe një laptop.

Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari në mbajtje deri në 48 orë.