Policia e Kosovës ka arrestuar personin i cili dyshohet se të hënën, në një lokal të këmbimit të valutave në Gjilan ka kryer veprën penale “Grabitje”. I njëjti nën kërcënim të armës ka arritur të marrë një sasi të konsiderueshme të hollash dhe po ashtu ka shtënë në drejtim të punëtores e cila ka pësuar lëndime trupore si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri, ka njoftuar PK.
Edhe të martën, Policia u lajmërua për një grabitje me armë në një lokal në Gjilan ku një i dyshuar, nën kërcënim të armës pasi ka shtënë dy herë në ajër ka arritur që t’i marrë një sasi të konsiderueshme të hollash nga kasa e lokalit, por askush nuk është lënduar.
“Policia e Kosovës , Njësitet e hetimeve të Policisë së Kosovës stacioni policor në Gjilan, pas një pune mirë të organizuar operative kanë arritur të arrestojnë të dyshuarin mashkull shtetas të Kosovës L.Z. (2003) me banim në Gjilan i cili dyshohet të jetë i përfshirë në dy rastet e grabitjes”, njoftoi PK.
Si provë materiale i është gjetur arma e përdorur në këto vepra penale si dhe një shumë të hollash që janë grabitur të cilat u janë kthyer pronarëve legjitim.
Prokurori i shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, tha Policia.