Kronikë

Arrestohen dhjetë persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot dhjetë persona të dyshuar për kontrabandim me migrantë.

Shtatë nga të arrestuarit janë shtetas të huaj, e tre kosovarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në një hotel, pos arrestimi i të dyshuarve është bërë edhe identifikimi i 153 shtetasve të huaj, viktima të kontrabandës. Ndërsa ka konfiskuar disa armë, vetura, telefona e para.

“Pas hetimeve intensive duke aplikuar edhe masat e veçanta të hetimit, gjatë operacionit policor të kryer me mjaft efikasitet nga hetuesit policor, të dyshuarit dhe viktimat janë lokalizuar në disa automjete në lëvizje, si dhe gjatë kontrollit në një hotel, ku përveç arrestimit të dyshuarve të lartcekur janë identifikuar edhe njëqind e pesëdhjetë e tre (153) shtetas të huaj viktima të kontrabandimit, të cilët janë trajtuar sipas procedurave të parapara me ligjin për të huaj nga drejtoria për migrim dhe të huaj e PK-së. Gjatë operacionit policor tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar edhe provat si në vijim: një revole, 13 fishekë të kalibrit 7.65mm, një fishekë i kalibrit 7.62mm, 2110 euro, 942 dollarë, 100 franga, 7800 lekë, 1000 dinarë të Serbisë, 1 pasaportë e Bangladheshit, një e Egjiptit, dy laptopë, 6 telefona të mençur, një USB, një unazë ari, dy unaza argjendi, një orë rolex, tri automjete (një kombi dhe dy vetura)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.