Gjykata Supreme ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të disa prej të akuzuarve, që ishin dënuar para disa vitesh për veprën e fajdesë. Bëhet fjalë për vëllezërit Kqira nga Prizreni që ishin dënuar për këtë vepër.
Pos veprës së fajdesë, ata janë dënuar edhe për veprën e detyrimit.
Duke mos dhënë shumë detaje për rastin, Supremja ka njoftuar për dënimet unike me burgim për shtatë të dënuarit: T.K., K.K., Gj.K., M.K., B.B., Gj1.K. dhe G.K..
T.K. është dënuar me pesë vjet burgim dhe gjobë 15 mijë euro. Në këtë dënim i llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nga 28 maji 2015 e deri më 29 gusht 2017.
Ndaj K.K. është shqiptuar dënimi prej katër vjetësh burgim dhe gjoba prej 15 mijë euro. Edhe atij në dënim i llogariten rreth dy vjet të kaluara në paraburgim nga viti 2015 e deri më 2017.
Me katër vjet burgim e 10 mijë e 500 euro gjobë është dënuar Gj.K., që po ashtu ka qenë në paraburgim e arrest shtëpiak për dy vjet.
M.K. është dënuar me një vit e tetë muaj burgim e gjobë 7500 euro. Atij i është përllogaritur një periudhë dyvjeçare e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.
Me tre vjet e gjysmë e gjobë 15 mijë euro është dënuar B.B.. Edhe ky i dënuar kishte qenë në paraburgim për dy vjet.
Gj1.K. është dënuar me një vit e tetë muaj burgim dhe gjobë 15 mijë euro. Ky ka qenë në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 28 majit 2015 deri më 26 janar 2016.
Edhe G.K. është dënuar me një vit e tetë muaj burgim e gjobë 2500 euro.
Nëse të dënuarit s’i paguajnë dënimet në afat prej tre muajsh, ata gjobën duhet ta zëvendësojnë me burgim, ku çdo ditë llogaritet 20 euro gjobë.