Kronikë

Dhjetëra raste të zjarreve në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit

Policia ka njoftuar se rreth 13 shpërthime të zjarreve kanë ndodhur në tërë territorin e Kosovës gjatë së hënës.

Në fshatin Baicë të Drenasit është ankuar një person se zjarri ka përfshirë disa ara me hamullore, me ç’rast janë dëmtuar 20 trupa pemë dhe 30 ari mjedra. Raste të ngjashme kanë ndodhur në Korentin të Kamenicës, Llabjan të Gjilanit, Kroatishte e Parallovë të Novobërdes, ku zjarrfikësit kanë intervenuar duke lokalizuar zjarret.

Komuna e Suharekës ka pasur probleme me zjarret të hënën, ku në fshatrat Reqan, Bukosh, Vraniq, Mushnikovë dhe Jabllanicë, janë djegur disa djerrina, toka dhe pyje.

Në Komunën e Gjakovës është raportuar për dy zjarre, ku janë djegur ushqime bagëtish dhe male. Në fshatrat Guriq dhe Fshati i Ri në Malishevës ka pasur shpërthim zjarresh, me ç’rast janë djegur disa fusha. Nuk raportohet për të lënduar.