Kronikë

2 vjet burgim pas iu gjet marihuanë e kokainë në shtëpi

Me 2 vjet  burgim, e 1 mijë euro gjobë është dënuar M.B nga Gjykata Themelore në Gjakovë i akuzuar për “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas gjykatës M.B. akuzohet se “me datën 24 qershor 2021, gjatë bastisjes nga ana e policisë në shtëpinë e tij në katin e dytë të shtëpisë tek dhoma e tij, janë gjetur tetë (8) qese të mbushura me substancë të llojit marihuanë, një kavanoz i mbushur me substancë të llojit marihuanë, një qese e mbushur me substancë narkotike të llojit kokainë në peshë rreth 1.36 gram, dy peshore digjitale të cilat shërbejnë për matjen e narkotikut, ndërsa brenda në një aneks të shtëpisë (shupë) janë gjetur njëzet qese të paketuara dhe të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë, e gjithë kjo sasi e substancës narkotike-kanabis (Marihuanë) në peshë prej 986,76 gramë” thuhet në vendimin e gjykatës.

Gjykata ka urdhëruar që ndaj të pandehurit M. B., të konfiskohen mjetet monetare në shumën prej pesëqind e tridhjetë euro si mjete të përfituar nëpërmjet kryerjes se veprës penale dhe të bëhet shkatërrimi i substancës narkotike.