Kronikë

Kërkohet paraburgim për përleshjen me armë në Gjakovë

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit T.N. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Tentim vrasje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së paraburgimit ekziston dyshimi i bazuar se, i pandehuri T.N., rreth orës 21:40, pikërisht në një lokal në Gjakovë, ka tentuar ta privojë nga jeta të pandehurit E.M..

Në njoftimin e gjykatës më tutje thuhet se ‘i dyshuari T.N kishte dalë nga lokali , duke vërejtur që jashtë ishin duke u rrahur disa persona, aty e kishte parë të dëmtuarin- të pandehurin E.M., duke shtënë me armë brenda lokalit dhe pasi që ky i fundit del jashtë ku ka vazhduar duke u rrahur me disa persona të tjerë, i pandehuri, me armë zjarri gjuan fillimisht në ajër e më pas në drejtim të dëmtuarit- të pandehurit E.M, ku gjatë largimit të tij, në mes të veturave në parking ky fishek nuk arrin që ta godet. I pandehuri menjëherë largohet nga vendi i ngjarjes, me ç ‘rast dorëzohet në polici me datën 12.07.2021“, është thënë në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës më tutje thuhet se i dyshuari T.N., më parë e deri më 11.07.2021, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar në stacionin policor.