1 perditesime
09:31

Dy të arrestuar me dyshime për falsifikim të parasë, janë ndaluar për 48 orë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona që u arrestuan të mërkurën me dyshime për kryerje të veprave penale “falsifikim i parasë”, “pastrim i parasë” dhe “blerje, pranim ose fshehje të sendeve të përfituara me kryerje të veprës penale”, janë ndaluar për 48 orë.

B.M. dhe M.Sh. janë ndaluar pas intervistimit. Nga Policia u tha se janë arrestuar tre persona, dy kosovarë e një shtetas turk.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Njësia Rajonale në Mitrovicë, janë arrestuar dhe ndaluar të dyshuarit B.M. dhe M.Sh. për veprat penale “Falsifikimi i parasë”, nga neni 296, “Pastrimi i parasë”, nga neni 302 dhe “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 333 i Kodit nr. 06/L-074 Penal të Kosovës. Pas intervistimit të dy të dyshuarve me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë. Ndaj të dyshuarve të ndaluar në afat ligjor do të parashtrohet kërkesë në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë”, thuhet nga Prokuroria Speciale.

08:59

Policia jep detaje për arrestimet e djeshme në aksionin kundër falsifikimit të parasë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e djeshëm ku u arrestuan tre persona nën dyshimin se janë inkriminuar në veprën penale të falsifikimit të parasë.

Policia ka bërë të ditur se dy të arrestuar janë kosovarë, ndërsa njëri është shtetas turk.
Janë konfiskuar 1500 euro para të gatshme, 40 mijë dollarë amerikanë, telefona celular, dy vetura, pasaporta dhe dokumente të ndryshime identifikuese.

“Është raportuar se gjatë operacionit të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë arrestuar tre të dyshuar meshkuj dy prej tyre kosovarë dhe një shtetas i Turqisë nën dyshimin se janë të inkriminuar në veprën penale falsifikim i parasë. Në këtë rast nga të dyshuarit janë sekuestruar: para të gatshme 1500 euro, 40.000 dollar Amerikan, telefona celular, dy vetura, pasaporta si dhe dokumente identifikuese të ndryshme. Me urdhër të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftimin e Policisë.