Kronikë

Nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve që sulmuan fizikisht dy persona në Suharekë

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj të pandehurve J.F.M., dhe M.E., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Sulmi”.

Sipas njoftimit, të pandehurit J.F.M., dhe M.E., me datë 15 maj, në orët e pasdites tek stacioni i autobusëve në Suharekë, pas një fjalosje paraprake që kishin me shoferin e autobusit të një kompanie transportuese, të njëjtit për të mos e lejuar autobusin të niset, ishin shtrirë në rrugë para autobusit, me ç ’rast kishin ndërhyrë personeli i sigurimit të stacionit për t’i larguar ata, për çka edhe ka ardhur deri të një përleshje ku të pandehurit i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit – personel i sigurimit, kurse në të njëjtën kohë të pandehurit kanë sulmuar edhe një të dëmtuar tjetër, punëtor i sigurimit të stacionit.

“Gjithashtu me rastin e caktimin të paraburgimit gjyqtari i procedurës ka marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale respektivisht ndjeshmërinë e rastit konkret pasi që të pandehurit në stacionin e autobusëve në Suharekë – në hapësirë publike ku frekuentojnë shumë qytetarë janë përleshur me të dëmtuarit e në këtë mënyrë kanë shkaktuar shqetësim tek qytetarët – të pandehurit me sjelljen e tyre agresive dhe sulmin ndaj personave të dëmtuar të cilët kanë qenë në vend të punës si pasojë e veprime antiligjore, rrezikshmërisë dhe mënyrës së kryerjes së veprave penale, kjo sjellje e të pandehurve e arsyeton dyshimin e bazuar se me qëndrimin e tyre në liri, mund të përsërisin vepra penale të natyrës së njëjtë apo të kryejna ndonjë vepër tjetër penale të natyrës edhe më të rëndë”, thuhet në njoftim.