2 perditesime
16:20

​Prokuroria jep detaje për vrasjen në Vragoli

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar vdekjen e një gruaje në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës, duke thënë se dyshimet fillestare tregojnë se viktima është vrarë nga motra e saj.

E dyshuara është dërguar në mbajtje dhe ndaj saj do merren masa të nevojshme brenda afateve ligjore. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.​

14:54

Dyshohet se 33-vjeçaren e vrau motra me probleme mendore

Një vrasje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës.

Policia e ka cilësuar rastin si vdekje e dhunshme duke mos dhënë detaje për kryerësin e vrasjes, mirëpo burime të KOHËS thonë se motra e të ndjerës 33-vjeçare, dyshohet se e ka kryer aktin.

Po të njëjtat burime tregojnë se dorasja është me probleme mendore.

14:06

Vritet një 33-vjeçare në Fushë-Kosovë

Një grua e moshës 33-vjeçare ka mbetur e vdekur si pasojë e gjuajtjes me armë, të dielën në mesditë në fshatin Vragoli të Fushë-Kosovës.

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Sipas tij, elementet e para sugjerojnë për vdekje të dhunshme.

Ai nuk ka dhënë detaje se kush e ka kryer vrasjen.

“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një rast vdekje e dyshimtë, në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatur vdekjen e viktimës femër 33 vjeç. Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vdekje të dhunshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, ka thënë Borovci.