Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurve N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, veprën penale marrja e ryshfetit, ndërsa të pandehurit S.M., A.B., A.A., B.B., dhe H.B., dyshohen edhe për kryerjen e veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
“Gjyqtari Mustaf Tahiri, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar faktin të pandehurit gjatë vitit 2020, në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtar si roje pylli dhe teknik të pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete dhe për personat e tjerë, me dashje nuk kanë kryer detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e pyjeve, përgjegjësitë dhe obligimet e rojës së pyllit, në atë mënyrë që edhe përkundër faktit se janë të obliguar që në momentin kur hasin dëmtuesit e pyjeve duke pre dru në mënyrë të kundërligjshme, t’iu shqiptojnë fletëparaqitje, të njëjtit nuk e bëjnë fare një gjë të tillë por arrijnë marrëveshje me ta dhe si kundërvlerë për mos shqiptimin e fletëparaqitjeve, marrin shuma të ndryshme të të hollave nga ata duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Ndërsa të pandehurit S.M., A.B, A.A, B.B., H.B., dyshohet se kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, përkatësisht tek të dyshuarit me rastin e kontrollit nga ana e policisë në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë armë gjuetie; dy armë zjarri (revole); gjashtë karikatorë të revoles; dy karikatorë të AK-47; 70 fishekë të llojeve të ndryshme; 13 telefona mobilë; një çekan për damkosje si dhe fletore gjepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë dhe të tjera”.
Palët janë njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.