Kronikë

16 vjet burgim për vrasjen e kryer në Ferizaj para 3 vjetësh

Me 16 vjet burgim është dënuar A.R. i cili kishte vrarë një person në vitin 2018 për borxh.

Të njëjtit sot i është shpallur aktgjykimi dënues për veprat penale “vrasje” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjithashtu aktgjykim dënues ka shpallur edhe për disa persona të tjerë të cilët ishin përfshirë në rast. I pandehuri D.K. është akuzuar për veprën penale “mashtrimi” dhe të pandehurit D.K, A.R.1., F.R. dhe A.R.2. të akuzuar secili veç e veç për veprën penale “pjesëmarrja në rrahje”.

Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, të pandehurin A.R. për veprën penale si në aktakuzë e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej 16 vjet, të pandehurin A.R.1.. e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vjet, të pandehurin F.R. i ka shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vjetësh, të pandehurit A.R.2. burgimi në kohëzgjatje prej një vit e tetë muaj dhe të pandehurin D.K, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 2.500.

“I pandehuri A.R. akuzohet se më 28.02.2018 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.H., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumë prej 60.000 euro, lidhur me një veturë të markës BMË-X5 të cilin i pandehuri i kishte shitur D.K., me ndërmjetësimin e tani të ndjerit, e të cilin borxh D.K. sipas marrëveshjes është dashur ta paguaj deri me datën 28.02.2018. I pandehur i shoqëruar me axhën dhe dajën e tij kanë shkuar në Prishtinë për ta kërkuar borxhin, mirëpo D. ju thotë se do të vij në Ferizaj dhe e paguaj borxhin, kështu që ata janë kthyer ne kafeterin e tyre, kurse D. dhe i ndjeri B. kanë arritur në të njëjtin vend më vonë me ç’rast D. iu thotë se ‘ju ma keni shqetësuar familjen qe keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti’, kështu qe i pandehuri së bashku me babain dhe vëllezërit e tij (pjesëmarrës në rrahje), janë revoltuar dhe ka filluar fyerja reciproke mes tyre, kurse F. e nxjerr jashtë tani të ndjerin B., por B. godet F. me kokë në pjesën e hundës dhe e rrëzon në tokë, atëherë dalin edhe i pandehuri A.R, A.R.1. dhe A.R.2. dhe fillon rrahja, atëherë B. fillon të ik, kurse i pandehuri A.R. nxjerr pistoletën dhe shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, me ç’rast njëra predhë e godet ne pjesën e nën gjurit të këmbës së majtë, kurse predha tjetër në regjionin e shpinës duke dal në buzën e poshtme të gojës, e cila shqyen arterien karotide të majtë, kurse i ndjeri rrezohet ne skaj të rrugës dhe në gjendje të shtrire i pandehuri së bashku me babain dhe vëllezërit e tij fillojnë ta godasin me shqelma në të gjitha pjesët e trupit duke i shkaktuar lëndime trupore, kurse si pasoje e gjakderdhjes i ndjeri B.H. ndërron jetë në vend të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

I pandehuri D.K. akuzohet se më 1301.2018 në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka mashtruar pronarin e auto sallonit A.R.1., në atë mënyrë që ka lidh një kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5.30 Xdrive, për çmimin prej 64.000.00 euro me ç’rast i ka paguar 4.000 euro kurse shumën tjetër është dashur ta paguajë me 28.02.2018, mirëpo i pandehuri veturën e ka shitur, kurse paratë nuk ia ka paguar në afatin e caktuar, por ka shkuar te i dëmtuari kinse për të kërkuar afat shtesë. Pas kësaj njoftohet se ka filluar të fyej, me arsyetimin pse i kanë shkuar te shtëpia për të ia kërkuar.