Kronikë

Burgim dhe gjobë për tentimvrasje në Pejë

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me një vit e tetë muaj burgim F.L. për tentimvrasje dhe me gjobë të pandehurin D.L. për sulm, në një rast që kishte ndodhur më 10 tetor të vitit të shkuar.

Siç ka njoftuar Themelorja, i pandehuri F.L. atë ditë kishte tentuar të vriste të dëmtuarin M.A. pas një fjalosje që kishte pasur më herët me të në një lokal në Pejë, pasi i pandehuri e kishte sharë dajën e të dëmtuarit. Sipas përshkrimit, i pandehuri kishte shtënë tre herë me armë në drejtim të të dëmtuarit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa me një predhë kishte goditur edhe një kalimtar, duke i shkaktuar po ashtu lëndime të rënda.

Ndërkaq i pandehuri D.L. kishte sulmuar të dëmtuarin pasi e kishte parë atë afër një personi, të cilin e kishte djalë të axhës. Pasi e kishte sulmuar fizikisht, D.L. ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Pos dënimit me një vit e tetë muaj burgim, F.L. është gjobitur edhe me 800 euro, si obligim për ta paguar për 30 ditë, ndërsa nëse nuk e paguan, një ditë burgu do t’i përllogaritet baras me 20 euro. D.L. është gjobitur me 200 euro, nën masat e njëjta si i pandehuri tjetër.