Kronikë

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që rrahu për vdekje një person në Ferizaj

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.SH., i cili më 21 shkurt i kishte shkaktuar dëmtim viktimës A.L., si pasojë e të cilës më pas vdiq.

B.Sh. dyshohet se në fshatin Bibaj të Ferizajt, pranë një pompe të benzinës, kishte grushtuar viktimën A.L., i cili kishte rënë me kokë në beton dhe për pasojë, pas pak kohësh kishte vdekur në spital.

Të dyshuarit për këtë vepër i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, duke marrë parasysh rrethanat e rastit, ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi po të gjendet në liri i pandehuri, mund të arratiset ose të ikë, duke marr parasysh se njëjti që nga data 21.02.2021 është arratisur, gjegjësisht ka shkuar në shtetin e Zvicrës. Përkundër faktit se ai është paraqitur vullnetarisht në organet e ndjekjes, i njëjti ka të rregulluar statusin e leje-qëndrimit në Zvicër dhe mund të ikë ose të arratiset”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.