Kronikë

Ndalohet një person lidhur me rastin e arrestimit të drejtorit të KPK-së

Është ndaluar edhe një person, punonjës në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe i lidhur me rastin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare në KPK, që filloi nga me veprimet ndaj drejtorit të Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqit, ditëve të fundit.

Sipas burimeve të KOHËS, i arrestuari është Ardian Krasniqi dhe ka lidhje familjare me Lavdim Krasniqin, e është ndaluar deri të enjten dhe më pas do të intervistohet nga prokurori.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. 

“Sot, në ora 15:35, policia ka arrestuar një person nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ’Dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale’. Me aktvendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës të mërkurën i ka caktuar masë të paraburgimit Lavdim Krasniqit mbi dyshimin e bazuar për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim ndikimi” dhe “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”.

Ndërsa, asistentes së tij i është caktuar masë e arrestit shtëpiak prej një muaji dhe dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.