Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj zyrtarit komunal të Pejës për rastin “Subvencioni 2021”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj zyrtarit të Komunës së Pejës, A.B. për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për marrje ryshfeti.

A.B. është ndaluar për rastin “Subvencioni 2021”.

“Të pandehurit A.B., gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji pasi që ka konstatuar se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 187, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, sepse ekziston rreziku se po të gjendet i pandehuri në liri, i njëjti mund të ik apo arratiset për ti ikur përgjegjësisë penale në këtë fazë të procedurës, po ashtu i pandehuri nëse do të jetë në liri mund të asgjësojë, fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat e veprës penale duke ndikuar tek dëshmitarët aktual dhe ata të mundshëm të prokurorisë, po ashtu duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, tregon rrezikun se nëse i pandehuri do të gjendet në liri mund të përsëris veprat penale”, thuhet nga Themelorja.

A.B. dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar ka përfituar vlera të mëdha të parave duke i dëmtuar përfituesit e subvencioneve të cilëve Republika e Kosovës ua ka siguruar me qëllim të zhvillimit të bujqësisë, me këtë dyshohet se ka kryer veprat penale Marrja e ryshfetit dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.