Kronikë

Shtyhet seanca në rastin Sekiraqa, një anëtar i trupit gjykues mungoi për shkaqe shëndetësore

Mungesa e njërit prej anëtarëve të trupit gjykues ka bërë që të shtyhet seanca ndaj Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për shtytjen e Arben Berishës për vrasjen e policit Triumf Riza.

Kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Agim Kuçi, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se seanca është anuluar, pasi një anëtar i turpit gjykues nuk mund të ishte prezent për shkaqe shëndetësore.

Në seancën e sotme ishte paraparë të vazhdonte dëshminë Visar Riza, vëllai i të ndjerit, Triumf Riza.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqen për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Apeli në mars të vitit të kaluar kishte vendosur të aprovojë ankesën e Sekiraqës duke e kthyer rastin në rigjykim. Në vendimin e Apelit thuhej se gjykata e shkallës së parë shqyrtimin gjyqësor të shtyrë e kishte mbajtur me trup gjykues të ndryshuar dhe nuk e kishte filluar rishtas.