Kronikë

Dy raste të tentimvrasjes në rajonin e Prishtinës, një në Gjakovë

Foto: Ilustrim

Dy raste të vrasjes në tentativë janë regjistruar në rajonin e Prishtinës të mërkurën.

Në njërin rast, në rrugën “Hys Popova” në kryeqytet, një person kishte raportuar se deri sa ishte duke lëvizur me veturën e tij, një tjetër person kishte shtënë me armë zjarri. Si pasojë, viktima ka mbetur i plagosur në këmbë. Ai është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe pas trajtimit është liruar. Nuk është raportuar për të arrestuar, ndërsa rasti po hetohet, ka thënë Policia.

Në rastin tjetër, në Bresje të Fushë Kosovës, një qytetar ka raportuar se është sulmuar fizikisht dhe me thikë nga tre të dyshuar, që i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima është dërguar në QKUK për trajtim. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast i vrasjes në tentativë ka ndodhur në Gjakovë, por më datën 12 shkurt. Dy gra dhe një burrë kanë raportuar se deri sa po lëviznin me veturë, dikush ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre. Plumbi ka depërtuar brenda veturës, por s’ka pasur të lënduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti është duke u hetuar.