Kronikë

Disa raste të falsifikimit të parasë të regjistruara në 24 orët e fundit

Të paktën pesë rate të falsifikimit të parasë janë regjistruar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës të mërkurën. Siç bëhet e ditur, në disa vende të Kosovës është raportuar për para false, kryesisht të pranuara nga punonjës të bankave.

Në një rast, në rrugën “Ilir Konushevci” në Prishtinë, një punëtor i një filiali të një banke ka raportuar se një bankënotë 50 euroshe dyshohet të jetë e falsifikuar.

Në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan, ishte rasti i ngjashëm, veçse këtu shifra e parasë që dyshohet të jetë e falsifikuar është 100 euro.

50 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara janë raportuar edhe nga një bankë tjetër në rrugën “Nënë Tereza” të Gjilanit.

Shifra më e lartë e parasë së falsifikuar të raportuar në 24 orët e fundit është në Prizren. Në rrugën “Blerim Shala” në dy raste të ndara, punëtorja e një banke ka raportuar për 500 euro false, si dhe në rastin tjetër për 50 euro false.

Ndërkaq, të martën Policia njoftoi se në Pejë kishte arrestuar katër persona nën dyshimin se në një këmbimore, më 23 janar, kishin bërë këmbim të 2500 dollarëve false.