Kronikë

Apeli ua ashpërson dënimin dy të akuzuarve për sulmin ndaj zyrtarëve policorë

Gjykata e Apelit ua ka ashpëruar dënimin me burgim dy personave të akuzuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë.

E.G. dhe E.E. nga Komuna e Ferizajt, nga dënimi me burgim shtatë mujor, u është shtuar dënimi në një vit.

Këtë e ka bërë të ditur Gjykata e Apelit përmes një njoftimi për media ku thuhet se dënimi u është shtuar të akuarve duke u bazuar në kryerjen e veprës.

“Kolegji penal i Apelit, nder të tjera konstaton se me rastin e vlerësimit të rrethanave renduese, gjykata e shkallës së parë, është dashur të ketë në konsideratë edhe faktin se zyrtarët policorë, natën kritike ishin në detyra zyrtare, duke realizuar Planin Operativ për Zbatimin e Masave kundër Pandemisë Covid-19, kurse të pandehurit përveç që nuk ishin duke i zbatuar këto masa, ata edhe i kanë sulmuar të dëmtuarit në një vend publik. Andaj, nisur nga pesha e veprave penale, si dhe rrethanat tjera të rastit konkret, kolegji penal ka ardhur në përfundim se dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë ndaj të pandehurve janë dënime të buta”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata Themelore e Ferizajt më 29 shtator të 2020-s i kishte dënuar me 7 muaj burgim dy të akuzuarit.