Kronikë

Tri grabitje dje në rajonin e Prishtinës

Në 24 orët e fundit janë raportuar se janë kryer katër grabitje në Kosovë. Policia e Kosovës ka njoftuar se në rrugën “Edmond Hoxha” të shtunën rreth orës 10:20, një person i dyshuar ka grabitur në një bankë rreth 500 euro para ta gatshme. Në të njëjtën ditë, në rrugën “Bill Klinton”, është raportuar se një person i maskuar ka vjedhur 1000 euro. I dyshuari ka hasur në sigurimin privat dhe ka shtënë dy herë në drejtim të tyre. Nuk raportohet për të lënduar.

Të dielën, KOHA ka raportuar për një grabitje që është kryer në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, ku një i dyshuar ka vjedhur arkën e bamirësisë të personave me autizëm.

Pos saj, në Komunën e Podujevës është raportuar se një person me thikë ka grabitur në një pompë të derivateve 900 euro para të gatshme dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin ndërsa nuk raportohet për ndonjë të lënduar.

Ditëve të fundit është parë një rritje e dukshme e rasteve të vjedhjeve nëpër disa komuna të Kosovës. Në një nga to, është raportuar se disa persona kanë tentuar të vjedhin para në një bankomat në Prishtinë dhe kanë lënë të plagosur një zyrtar policor. Rast i vjedhjes është raportuar të premten në Pejë, ku është vjedhur vetura e tipit Shkoda-Fabia, e cila ishte e parkuar në rrugën “Mbretëresha Teutë”, dhe ishte në pronësi të një biznesi.

“V.L. i lindur me 02.07.1986 i dyshimtë për vjedhjen e veturës është arrestuar dhe me urdhër të Prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërsa vetura i është kthyer pronarit”, thuhet në njoftimin policor.