Kronikë

I rrahën dhe ua dëmtuan pasurinë, arrest shtëpiak tre personave në Malishevë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Një muaj arrest shtëpiak u është caktuar tre të pandehurve për “lëndim të rëndë trupor dhe dëmtim të pasurisë.

Siç ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Gjakovë, të pandehurit në fshatin Carrallugë të Malishevës me dashje i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore dy të dëmtuarve.

“Me datë 27.11.2020 rreth orës 15:00 minuta, në fshatin Carrallug të Malishevës, të pandehurit me dashje dhe me mjete të rrezikshme i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarve A. G. dhe Z. G. që të dy nga fshati Balincë i Malishevës. Të pandehurit, pasi i rrahin të dëmtuarit, i’u dëmtojnë kamionetin e tyre duke ja thyer xhamat me mjete të forta”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime të pandehurit V. H., A. H. dhe A. H.(2), dyshohen të kenë kryer dy vepra penale, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Gëzim Pozhegu pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve, si masë më e arsyeshme në këtë fazë të procedurës penale.