Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabaza ankesat e prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës, në rastin e të akuzuarve Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi.
Me këtë, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të marrë me 03 prill të këtij viti.
“Me anë të këtij aktgjykimi, të akuzuarit në fjalë janë gjetur fajtor për shkak të veprës penale ‘Mashtrim’ nga neni 261, paragrafi 2 lidhur më paragrafin 1 dhe nenin 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK). I akuzuari RR. H. është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 9 muaj, ndërsa i akuzuari K. R. me dënim më burgim në kohëzgjatje prej 3 vjetëve”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit të enjten .
Hashimi e Rexhepi ishin dy protagonistë në videot e skandalit të fajdeve të publikuar nga Grupi KOHA.
Në videot e publikuara nga KOHA, Hashimi e Rexhepi shihen teksa kërkojnë para nga biznesmeni Faton Dalladaku, për të ndërtuar spitalin brenda hapësirës së QKUK-së.
Në disa momente ata thirren edhe në emër të atëkohë, kryeparlamentarit Kadri Veseli e nënkryetarit të Parlamentit, Xhavit Haliti.