Kronikë

Policia e Kosovës arreston katër persona për prostitucion

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona për vepra penale që ndërlidhen me prostitucion, gjatë një aksioni në Prishtinë e Fushë Kosovë.

Janë arrestuar dy femra, një kosovare dhe një tjetër shqiptare me shtetësi të Serbisë dhe dy meshkuj kosovarë.

Po ashtu janë sekuestruar pesë telefona celularë, 125 euro dhe disa kopje të dokumenteve.

Personat janë ndaluar për 48 orë.

“Policia e Kosovës, Sektori Qendror i Hetimeve–Drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore (DHTQNJ), pas hetimeve të zhvilluara, të udhëhequra nga Prokuroria Themelore, Departamenti i Përgjithshëm në Prishtinë, me datë 15.09.2020, ka realizuar një plan operativo-taktik, me ç ‘rast janë kontrolluar dy lokacione (Prishtinë dhe Fushë Kosovë) ku janë identifikuar dhe arrestuar katër persona të dyshuar; dy femra (një kosovare dhe tjetra shqiptare shtetase e Serbisë) dhe dy meshkuj kosovarë. Personat e përfshirë janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mundësim ose Detyrim në Prostitucion”, “Ofrimi i lokaleve për prostitucion” apo “Bashkëkryerja” sipas kodit penal të RKS-së. Gjatë realizimit të planit si prova materiale janë sekuestruar përkohësisht pesë (5) telefona mobil, njëqind e njëzet e pesë (125) euro, disa kopje të dokumenteve dhe një libër e evidencave. Pas proceduarve të intervistimit të dyshuarit e arrestuar me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.