Mësimdhënësi B.V. është dënuar me tre vjet burgim për ngacmim seksual të nxënëses së tij dhe i është ndaluar ushtrimi i profesionit të mësimdhënësit për pesë vjet, i cili do të fillojë pas vuajtjes së dënimit të shqiptuar me burg.
Gjykata Themelore në Pejës ka shpallur aktgjykimin për veprën penale sulm seksual, më 10 gusht, derisa e ka bërë të ditur sot. Rasti kishte ndodhur në periudhën shtator - nëntor 2018.
Sipas aktgjykimit, mësimdhënësi kishte nisur me fjalë joshëse për të vazhduar me prekje të nxënëses.
“Me këto veprime i pandehuri B.V. ka kryer veprën penale sulm seksual nga neni 232 par. 3 nën par. 3.7 lidhur me piken 3.9 dhe lidhur me par. 1 të KPRK-së. Te pandehurit i është shqiptuar dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të mësimdhënësit në kohëzgjatje prej 5 viteve, i cili do të fillojë pas vuajtjes së dënimit të shqiptuar me burg”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.