Kronikë

Pas 5 orë ndjekje në ujërat e Vlorës, “Delta Force” dhe GDF kapin gomonen, në kërkim skafistët

Një gomone është sekuestruar pas 5 orë ndjekjeje hap pas hapi në zonën e Plazhit të Vjetër në qytetin e Vlorës.

‘Delta Force’ e qytetit të Vlorës, Guardia di Finanzia, dhe Roja Bregdetare e Vlorës kanë mundur të lokalizojnë gomonen dhe ta sekuestrojnë atë.

“Përndjekja” ka vijuar nga zona e Zvërnecit- plazhi i vjetër, dhe vazhdoi për në Orikum. Ndërkohë në ndjekje u vu edhe një helikopter, i cili inspektoi gjithçka nga ajri.

Gomonia u sekuestrua, ndërsa për fat të keq, nuk u gjet asnjë sasi droge siç pritej.

Dyshohet se trafikantët me t’u pikasur nga Policia e kanë hedhur në det lëndën narkotike, e cila mendohet se ka qenë e rregulluar në pako.

Megjithatë, kërkimi për të arrestuar dy skafistët vazhdon.

Policia deklaroi më herët se mjeti po bënte manovra të dyshimta në afërsi të ishullit të Sazanit, gjë e cila bëri që autoritetet të shkojnë për ta ndaluar.

Por, sapo drejtuesit e mjetit lundrues kanë kuptuar se drejt tyre është nisur policia, janë larguar me shpejtësi/JavaNews.